Të arrestuarit në aksionin policor "Monstrum" të Ministrisë së Punëve të Brendshme sot janë dërguar në Gjykatën penale të Shkupit. Pritet t'u shqiptohet masë paraburgimi.
Për të gjithë për të cilët MPB ka dëshmi se kanë qenë pjesë e vrasjes së katër djelmoshave dhe burrit në moshë mesatare MPB-ja do të ngritë padi penale për "terrorizëm".
Janë arrestuar 20 persona nga Shkupi, pjesëtarë të islamit radikal, pjesa më e madhe e tyre janë shtetas të Maqedonisë.
Në bazë të dëshmive materiale, nga MPB-ja pohojnë se ato janë kryerësit e vrasjes makabre të pesë qytetarëve të pafajshëm. Midis 20 të arrestuarve, ka persona të cilët drejtpërdrejtë janë të involvuar në vrasjen në Smillkovcë, sqaroi Jankulloska, por edhe persona për të cilët nuk ka të dhëna se kanë qenë në vendin e ngjarjes.
Gjatë kryerjes së bastisjeve dje në 26 objekte, në një pjesë më të madhe të territorit të Qytetit të Shkupit dhe në aktivitetet në aksionin policor "monstrum", në të cilin morën pjesë mbi 800 pjesëtarë të MPB-së (DSK dhe BSSH), është gjetur një sasi e madhe e armëve, literaturës e cila tregon përkatësinë ideologjike të këtyre personave dhe mjete të tjera, të cilat mund të jenë ose të shfrytëzuara gjatë kryerjes së veprës penale. Në vijim është ekspertiza nëse arma e gjetur është shfrytëzuar në vrasjen e pesëfishtë.