Kreditë e këqija, Kadare- Bankat të pastrojnë bilancet - Albanian Screen TV

Albanian Screen TV 2015-04-25

Views 22

Tiranë - 
Bankat e nivelit të dytë do të ulnin nivelin e kredive të këqija, nëse do të fshijnë nga bilanci kreditë e humbura, pra ato kredi që nuk mund të kthehen më. Këtë sugjerim jep, Arjan Kadare, eksperti i bankingut i pyetur nga AS, se si mund të ulet stoku i kredive me probleme. Sipas tij, një masë e tillë do të çlironte shumë standardet e kreditimit, dhe do rriste kredinë për ekonominë dhe do ulte edhe normën e interesave.

"Çështja e kredive me probleme është një çështje që ka vazhduar me vite, është e mundur që brenda një kohe relativisht të shkurtër, një pjesë e madhe e kredive të humbura, të pastrohen nga bilanci i bankave dhe kjo do ti jepte një frymëmarrje, do të çlironte standardet e kreditimit që aktualisht për bizneset janë të shtrënguara. Një ulje e rëndësishme e totalit të huave me probleme do të çlironte shumë standardet e kreditimit dhe kjo do shprehet sidomos në uljen e normave të interesit për kredi që i jepen bizneseve dhe përsa i përket totalit të kredisë", thotë Arjan Kadare, ekspert bankingut.

Sipas Kadaresë një formë tjetër i clirimit të kreditimit do të ishte dhe përdorimi i fondeve të bankave të nivelit të dytë që i mbajnë në formë depozite, pranë bankave mëma.

"Nëse i referohemi sasisë së fondeve që bankat i mbajnë në formë depozitash, kryesisht me bankat mëma në eurozonë, ato fonde janë të konsiderueshme. Bëhet fjalë për rreth 1.5 mld euro,  që do të thotë rreth 15 për qind e GDP-së të Shqipërisë. Një zgjidhje afatshkurtër do të ishte që qeveria të mundohej që mbi bazë garancish për kredi të dhëna sektorit privat nga bankat, mbi bazë partnershipi qeveri-sektor privat, banka dhe biznese të mund të lehtësonte kalimin e këtyre fondeve që mbahet kot, kalimin e tyre në kreditimin e ekonomisë", vijon Kadare.

Këto masa sipas ekspertit do të ndihmonin edhe qeverinë në përdorimin e fondeve për investime në projekte të rëndësishme.  "Në vend që paratë e buxhetit të planifikuara për investime kapitale të përdoren drejt për së drejti në ekonomi, të mund të përdoren si lekë financiare që fondet private që rinë kot në sistemin bankar, të kalojnë nga sistemi bankar për të kredituar ekonominë", tha ai.

Në fund të vitit 2014 niveli i kredive të këqija rezultoi 24.5 %, ndërsa aktualisht ato kanë zbritur në 22 %.

Share This Video


Download

  
Report form