Fshehja e pasurisë, Ganaj- Asnjë zyrtar i dënuar - Albanian Screen TV

Albanian Screen TV 2015-04-22

Views 8

Tiranë - 
Asnjë zyrtar shqiptar nuk është dënuar me burg deri më tani  për pasuri të pajustifikuar apo të fshehur.  Kjo bën që shumë zyrtarë të cilët krijojnë pasuri në mënyrë të paligjshme, të mos i frikësohen ndëshkimit,  pasi maksimalisht, pavarësisht sasisë së pasurisë së fshehur, ata do të paguajnë një gjobë 1 milionë lekë.

Kryeinspektori i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj, kërkon ndryshime ligjore, në mënyrë që vepra e fshehjes së pasurisë, apo mosjustifikimi i saj, të dënohet me burg.

"Ka 10 vjet që nuk është dënuar asnjë njeri, vazhdon e njëjta situatë. Prandaj unë kërkoj nga komisioni i Ligjeve dhe Kuvendi i Shqipërisë për ti dhënë një përgjigje përfundimtare kësaj çështje dhe kësaj situate. Qoftë me ndryshime ligjore duke vënë dysheme në dënime, të heqim këto gjoba. Shkon punon, vjedh, merr ryshfet, e bën tenderin si do, merr qindra miliona euro e në fund dënohet me 1 mln lekë të vjetra gjobë", tha Ganaj.

Po ashtu kreu i ILDKP-së, i kërkon prokurosisë të mos përdorë standarde të dyfishta në trajtimin e cështjeve të njëjta. "Nëse nuk do të shkonin të gjitha në Gjykatë do ishim të qartë, ta analizojmë pse. Po ky shkon, ky nuk shkon nuk mund të analizoj më tutje situatën. Një soj prokurorësh të paaftë dhe të korruptuar që të mos them ndonjë fjalë tjetër, është e pafalshme që brenda një prokurorie të një shteti me 3 milionë banorë ndryshe arsyeton Durrësi, ndryshe Tirana. I jam drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm që në tetor-nëntor, sa mora sinjalet e para si po shkonin çështjet dhe i kam kërkuar 'Nxirr qarkore për të unifikuar praktikën për çështjet tona", vijoi Ganaj.

Ganaj tha se ka pasur zyrtarë të cilët i kanë ofruar para në mënyrë që të mbyllë hetimin e dosjeve të tyre të pasurisë.

"Gjyqtari i Elbasanit Qani Hasa dhe kryetari i Bashkisë Gramsh, Dritan Bici kanë ardhur dhe kanë lënë paratë nëpër zyra aty për të mbyllur hallet që kanë pasur. I kam kallëzuar dhe për korrupsion", tha ai.

Gjatë këtij viti, Inspektoriati i Kontrollit të Deklarimit të Pasurisë, ka arritur të kontrollojë pasurinë e 1500 zyrtarëve, ndërkohë që ende 85 % e tyre, nuk janë hetuar.

Share This Video


Download

  
Report form