Rama takon Vuçiç, kryeministri serb do të vizitojë Tiranën - Albanian Screen TV

Albanian Screen TV 2015-04-21

Views 18

Tiranë - 
Kryeministri  serb Aleksandër Vuçiç do t'i kthejë vizitën e para pak muajve të homologut të tij shqiptar Edi Rama në fund të muajit maj. Nga Brukseli ku të dy kryeministrat ndodhen në kuadër të punimeve të Samitit për Ballkanin, Vuçiç i ka konfirmuar Ramës pjesmarrjen në konferencën e SEECP që do të zhvillohet në Tiranë.

Vizita vjen një muaj para vendimit të gjykatës së arbitrazhit sportiv në qershor për ndeshjen Serbi- Shiqpëri që degradoi në dhunë dhe që acaroi jo pak marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve. Acarim që u vu re dhe gjatë vizitës së kryeministrit Rama në Beograd në mes të nëntorit të shkuar, por që pas takimit në Bruksel duket i fashitur. Biseda mes dy kryeministrave u përqendrua në projektet e përbashkëta të vendeve të Ballkanit perëndimor që do ti paraqiten zyrtarëve të lartë të BE-së. Më konkretisht autostrada Nish-Prishtinë-Durrës, hekurudha që do të lidhë Beogradin me Budapestin dhe autostrada Adriatiko-Joniane që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Kroacinë në veri dhe Greqinë në jug të vendit tonë.

"Serbia dhe Shqipëria duhet të shohin përpara", - theksoi Rama, "duke bërë sëbashku për Ballkanin atë që Gjermania dhe Franca bënë pas Luftës së Dytë Botërore për Europën. Është e rëndësishme të kuptojmë të gjithë se Ballkani ka nevojë për Bashkimin Europian po aq sa BE ka nevojë për Ballkanin". Mësohet të jetë shprehur Rama në takim. Më herët shefi i qeverisë shqiptare ka zhvilluar një mëngjes punë me kryeministrin kosovar Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi. Ndërsa më homologun malazez Gjukanoviç, biseda është fokusuar tek  projektet e përbashkëta turizëm  sidomos në zonën e liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna.
Pjesë e axhendës së shefit të qeverisë shiptare ishte dhe takimi me  Komisioneren për Politiken e Jashtme Mogherini, me të cilën u diskutua për punën e qeverisë shqiptare dhe reformat e ndërmarra për të përmbushur 5 prioritetet e kërkuara nga  Bashkimi Europian.

© Albanian Screen all rights reserved

Share This Video


Download

  
Report form