Cikloni Pam përveç shkatërrimit në arqipelagun e Paqësorit të jugut në Vanuatu ka shkaktuar edhe të paktën 6 viktima të konfirmuara.
Ndërkohë që burime të OKB-së deklarojnë se, pavarësisht bilancit fillestar, disa dhjetëra banorë mund të kenë mbetur të vrarë nga katastrofa, e konsideruar ndër më të rëndat në historinë e Paqësorit.
Cikloni Pam ka sjellë në arqipelag erëra që arrijnë deri në 270 kilometra në orë dhe shira shumë të dendura e të rrëmbyeshme.
Sipas mediave ndërkombëtare, shtëpitë në kryeqytetin Port Vila janë shkatërruar dhe banorët kanë mbetur rrugëve në kërkim të ndihmës.
Një prej dëshmitareve, Chloe Morrison, tregon se rrugët e kryeqytetit në Vanuatu janë mbushur me pjesë çatish, pemë të çrrënjosura nga forca e erës dhe shtylla elektrike të rrëzuara.
Ajo shtoi se ka të dhëna se fshatra të tërë në zonat e largëta të arqipelagut janë shkatërruar tërësisht.
“Ka ende rrezik. Shumë njerëz janë ende duke u ruajtur. Dëmet në Port Vila janë të përmasave të mëdha, por ka edhe shumë ishuj të tjerë të goditur. Nuk e imagjinoj dot në ç’situatë mund të ndodhen banorët e tyre”, deklaroi Chloe Morrison oficere komunikimi e World Vision.
Ministrja e Jashtme e Australisë, Julie Bishop deklaroi se qeveria po përgatitet të dërgojë një skuadër në ishull.
I ndodhur mes Australisë dhe ishujve Hauai, Vanuatu ka një popullsi prej 267 mijë banorësh të përhapur në 65 ishuj, rreth 47 mijë prej të cilëve jetojnë në kryeqytetin Port Vila.