PRISHTINE - Një automjet me lëndë eksplozive dhe me targa të Serbisë, është ndaluar mbrëmmjen e djeshme pranë ambasadës amerikane në Prishtinë.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat kosovare sipas të cilave, mbrëmjen e djeshme, në lagjen Arbëria është ndaluar automjeti tip Renault Clio nën dyshimin se në të gjendej eksploziv, ndërsa është arrestuar edhe drejtuesi i mjetit, një shtetas serb.
Kjo është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili ka deklaruar se ndaj shtetasit serb është caktuar masa e ndalimit policor deri në një vendim tjetër të organeve të drejtësisë. Ai ka thënë se situata është e qetë dhe Policia e Kosovës gjendet në vendin e ngjarjes.
“Policia ka pasur informacione paraprake të inteligjencës, kështu që ia ka dalë ta ndalojë veturën dhe ta arrestoj shoferin e saj . Substanca që dyshohet se është materie eksplozivi është dërguar për ekzaminim kurse i arrestuari është dërguar në bazë dhe po intervistohet”, ka thënë Kelani.
Sipas mediave kosovare makina me targa të Beogradit, ishte në lëvizje, derisa është ndaluar nga një patrullë e rregulltë e Policisë së Kosovës. Po ashtu mediat kosovare bëjnë të ditur se automjeti vinte nga veriu i Kosovës.
Automjeti u mbajt për disa orë e bllokuar dhe më pas u dërgua në polici për ekzaminime të mëtejshme, pasi u hoq më parë sasia e ekzplozivit. Nga hetimet e para të policisë kosovare mësohet se në makinë kishte rreth 10 kg eksploziv.